HEC-et ankohen për taksat e larta

bashkia-kukes-300x169

Bizneset që zotërojnë hidrocentrale brenda territorit të Bashkisë Kukës janë të shqetësuara për rritjen e taksave nga Këshilli Bashkiak në disa raste edhe mbi 6-7 herë më shumë se deri më 2018. Shoqata e Prodhuesve të Energjisë së Rinovueshme (AREA) thotë se tarifat e reja janë tepër të larta. Për të kuptuar se sa e rëndon, ekspertët e saj kanë përllogaritur se, për HEC-et tarifa e re e vendosur nga Bashkia Kukës, është mesatarisht rreth 6-7 herë më e lartë se totali i të gjithë taksave e tarifave vendore së bashku të paguara nga subjektet Hidroenergjitike për vitin 2019. Rritja është mbi 700 % (shtatëqind për qind).

Ky fakt, thotë AREA tregon se sa abuziv dhe disproporcional është vendimi i Këshillit Bashkiak. Veç të tjerash, ai është në kundërshtim me kontratën koncesionare që kanë nënshkruar HEC-et, pasi në momentin e nënshkrimit të kontratës janë marrë në konsideratë të gjitha tarifat që kanë qenë në fuqi në atë moment. Në këtë mënyrë, kjo tarifë konsiderohet se mund të ndryshojë vetë termat e kontratës koncesionare.

Por burimet zyrtare në Bashkinë e Kukësit pohojnë se në paketën fiskale të vitit 2019 u vendos një taksim i drejtë për HEC-et që shfrytëzojnë burimet ujore në territorin e Bashkisë. Shefi i Kabinetit në Bashkinë e Kukësit, Granit Gjana tha se më parë taksa ishte e njëjtë për të gjitha HEC-et, ndërsa me vitin 2019 u vendos që taksimi të ishte progresiv, duke taksuar prodhimin për MW dhe jo për HEC. Me këtë taksim, tha Gjana, shumica e HEC-ve paguajnë më pak, ndërsa për dy tre HEC-e më të mëdha paguajnë më shumë.

Por, burime nga AREA thanë se kjo taksë është e re. AREA sjell shembullin e një kompanie që ka një HEC me kapacitet prej 12.3 MW. Në vitin 2019 ky HEC i pagoi Bashkisë së Kukësit 676,658 lekë taksa vendore. Me taksën e mjedisit ai duhet të paguajë 4,920,000 ose afërsisht 49 mijë dollarë.

Kjo taksë e paprecedentë, thotë AREA, rrit në mënyrë abuzive kostot e kompanive që kanë investuar miliarda dollarë për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë së rivonueshme. Vetëm kompanitë anëtare të AREA kanë investuar së paku 450 milionë euro për ndërtimin e HEC-eve.

Tarifa e vendosur nga Këshilli Bashkiak i Kukësit rezulton të jetë më e madhe se vlera e sigurimeve shoqërore të të gjithë punonjësve të kompanive që kanë ndërtuar HEC-e në këtë zonë.

AREA: Taksë e paligjshme

HEC-et e quajnë tarifën të paligjshme. Paligjshmëria, thonë përfaqësuesit e tyre, vërtetohet lehtësisht.
Për të paguar një tarifë vendore, çdo subjekt do të duhet të përfitoje shërbime nga pushteti vendor në lidhje me këtë tarifë. Në këtë rast përfitimi i HEC-eve është zero.

Taksat, thuhet në ligjin “Për sistemin e taksave vendore” paguhen për zënien e hapësirave publike për qëllime biznesi. Por hapësirat që shfrytëzohen nga HEC-et nuk janë pronë e bashkisë së Kukësit. Këto hapësira janë prona shtetërore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, me të cilën janë nënshkruar edhe kontratat koncesionare.
E parë në këtë këndvështrim, vendimi duket jashtë kompetencave të Këshillit Bashkiak të Kukësit, sipas AREA.

HEC-et e vegjël, sërish në shënjestër

HEC-et e vegjël zhvilluan një betejë të fortë me qeverinë gjatë miratimit të ligjit për energjinë e rinovueshme në vitin 2016. Qeveria u tërhoq nga drafti fillestar, pasi u bind për dëmet që do të shkaktonte te ky sektor.

Vendosja e tarifave të reja shtesë ndaj këtyre operatorëve duket se do të jetë beteja e radhës. Kjo, pasi Bashkia e Kukësit nuk është e vetmja që ka nisur të vendosë taksa ndaj tyre.

Edhe Bashkia e Librazhdit ka miratuar një taksë të përkohshme për infrastrukturën arsimore, edhe pse në raport me atë të Kukësit duket shumë herë më e arsyeshme.

HEC-et që operojnë në territorin e saj do të duhet të paguajnë 50,000 lekë në vit për çdo MW të instaluar.

Video