Pagesat E Rregullimit, ERE Ndryshon Rregulloren

Të licencuarit në tregun e energjisë dhe atë të gazit do të duhet që brenda 31 janarit të paraqesin pranë Entit Rregullator të Energjisë pasqyrat financiare të vitit ushtrimor paraardhës ndërkohë që deri në 30 qershor duhet të jenë depozituar ato të audituara. Kjo kërkesë vjen në kushtet e pagesës së tarifave rregullatore që subjektet e licencuara bëjnë pranë ERE-s çdo vit. Në ndryshimet e fundit që i janë bërë rregullores për përcaktimin e pagesave të rregullimit për të licencuarit në tregun e energjisë nënvizohen pikërisht këto aspekte si dhe një seri pikash të tjera.

“Pagesat rregullatore do të llogariten bazuar në peshën specifike të aktivitetit Rregullator të ERE-s, për çdo vit ushtrimor, për të ngarkuarit me shërbimin publik të realizuara në vitin paraardhës nga aktiviteti i çdo të licencuari ndaj totalit të të ardhurave të sektorit të energjisë elektrike” thuhet në vendimin e fundit të ERE-s.

I njëjti sanksionon se për shoqëritë e licencuara në aktivitetin e prodhimit, furnizimit dhe tregtimit të energjisë elektrike që në vitin paraardhës nuk kanë pasur aktivitet, pagesa rregullatore do të jetë një shumë fikse prej 100 mijë lekësh.

Enti Rregullator i Energjisë nënvizon se në rastet kur nuk respektohet afati i dorëzimit të pasqyrave financiare në kohë nga ana e këtij institucioni mund të ndërmerren masa administrative sikurse parashikon legjislacioni në fuqi. Moskryerja e pagesës në kohë nga ana e të licencuarve për pagesat rregullatore përbën mjaftueshëm arsye që nga ana e ERE-s të nisë procedura për heqjen e licencës.

ERE është institucion i pavarur që rregullon tregun e energjisë në vend dhe buxheti i tij përbëhet ndër të tjera nga arkëtimet që kryhen nga subjektet e licencuara si pagesa rregullimi. Ndër vite ERE ka ngritur shqetësimin se një pjesë e subjekteve nuk paraqesin në kohë informacionet lidhur  me pasqyrat financiare duke u kthyer në problem lidhur me llogaritjen e tarifës së rregullimit ndërkohë që edhe tek pagesat ka pasur subjekte që vonojnë në shlyerjen e detyrimeve.

 Monitor,

Video