Qeveria ul çmimin e energjisë për HEC-et private

hec-hidrocentral-

Qeveria ka miratuar ndryshimin e bonusit për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.3 në 1.2, duke ulur në këtë mënyrë shumën që do u paguhet prodhuesve ekzistues me përparësi. Ky koeficient është pjesë e metodologjisë mbi bazën e së cilës përllogaritet çmimi vjetor me të cilin hidrocentralet deri në 15 MË shesin energjinë elektrike, ndërkohë që kjo është ulja e dyta pas asaj të muajit janar ku u vendos që çmimi do të ishte 8.0532 lekë/ kwh, nga 8.4582 lekë/ kwh që ishte gjatë vitit 2019.

Mesa duket qeveria po përpiqet që të mos favorizojë më ndërtimin e hidrocentarleve të vegjël, të cilët e kanë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar. Më herët, edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka kritikuar skemën e garantimit të blerjes së energjisë për hidrocentralet e vegjël, pasi sipas saj kjo është përkthyer në një faturë të kripur për qeverinë shqiptare, duke arritur në rreth 40 mln euro në vit.

Sipas Ballukut, kjo formë nuk është efektive, ndaj dhe ka ardhur momenti që HEC-et e rinj të mos mbështeten me subvencione. Po ashtu, ministrja e ka konsideruar si abuzive edhe mbështetjen shtetërore për impiantet e vegjël që do të prodhojnë energji nga dielli, ndonëse diversifikimi i burimeve të prodhimit të energjisë është një domosdoshmëri për vendin tonë, që aktualisht prodhon mbi 95% të energjisë nga uji. Sipas saj, skema e subvencionimit do të orientohet te depozitat e energjisë, me qëllim uljen e importeve.


 

 

Video