“Pagesat rregullatore do të llogariten bazuar në peshën specifike të aktivitetit Rregullator të ERE-s, për çdo vit ushtrimor, për të ngarkuarit me shërbimin publik të realizuara në vitin paraardhës nga aktiviteti i çdo të licencuari ndaj totalit të të ardhurave të sektorit të energjisë elektrike” thuhet në vendimin e fundit të ERE-s.
I njëjti sanksionon se për shoqëritë e licencuara në aktivitetin e prodhimit, furnizimit dhe tregtimit të energjisë elektrike që në vitin paraardhës nuk kanë pasur aktivitet, pagesa rregullatore do të jetë një shumë fikse prej 100 mijë lekësh.
Enti Rregullator i Energjisë nënvizon se në rastet kur nuk respektohet afati i dorëzimit të pasqyrave financiare në kohë nga ana e këtij institucioni mund të ndërmerren masa administrative sikurse parashikon legjislacioni në fuqi. Moskryerja e pagesës në kohë nga ana e të licencuarve për pagesat rregullatore përbën mjaftueshëm arsye që nga ana e ERE-s të nisë procedura për heqjen e licencës.
ERE është institucion i pavarur që rregullon tregun e energjisë në vend dhe buxheti i tij përbëhet ndër të tjera nga arkëtimet që kryhen nga subjektet e licencuara si pagesa rregullimi. Ndër vite ERE ka ngritur shqetësimin se një pjesë e subjekteve nuk paraqesin në kohë informacionet lidhur me pasqyrat financiare duke u kthyer në problem lidhur me llogaritjen e tarifës së rregullimit ndërkohë që edhe tek pagesat ka pasur subjekte që vonojnë në shlyerjen e detyrimeve.